Home » 2011»January»29 » Besart Kallaku: Me klipin e ri po qeshin te gjithe
8:10 PM
Besart Kallaku: Me klipin e ri po qeshin te gjithe
Klipi i tij i parë nuk mund të mos ishte plot humor. Ndaj, vetëm dy ditë pas publikimit të "Katunari gangsta”, kënga ka regjistruar 138.000 shikues në youtube, duke e klasifikuar kështu në vendin e katërt për "Most views today”, në gjininë komedi. Aktori i njohur i spektaklit "Portokalli”, Besart Kallaku, në eksperiencën e tij të parë si këngëtar shfaqet si Don Kishoti, ku nga autoironia kalon me shumë aventura tek ironia me vajzat e Bllokut. Besi, për herë të parë realizon klip në stilin rep humoristik, pse të lindi kjo ide? Jo se e them unë, po është e thënë me kohë se idetë e bukura nuk lindin duke pllenuar mendjen si e si të më lindë një ide brilante, por thjesht vjen atëherë kur s’e pret. Të mos harrojmë që Arkimedi u ngrit lakuriq nga banjo dhe bërtiti Eureka, dhe mua më ndodhi diçka e tillë, por shyqyr që nuk dola nga banjo por nga studio. Kështu që unë isha me rroba veshur. Bëj shaka, se kjo ishte një lloj rastësie, gjatë kohës që ishim me kantautorin Stine në studion e tij. Ai futi një bit hip-hopi për ta dëgjuar dhe unë me shaka fillova ta shoqëroja me vargje humoristike. Nisi me të qeshur nga ana jonë dhe po ta keni vënë re, tani po qeshin të gjithë me këtë klip. Po e theksoj se jam nga të paktët nacionalistë të mbetur. Njerëzit kanë nevojë të qeshin, ne e kemi plotësuar klipin me shumë detaje humoristike dhe të suksesshme. Shfaqesh për herë të parë si këngëtar. Ke ambicie të hysh në tregun muzikor me këtë stil? Për mua është hera e parë që bëj një këngë, përveç periudhës së gjimnazit ku mundoheshim të imitonim grupet e huaja, duke krijuar dhe ne grupet e hip-hopit. Dhe unë në këtë rast nuk dua të tregoj se di të këndoj, por vetëm dua të tregoj se di dhe dua të bëj humor. Me tej të shohim, megjithëse jam i frymëzuar momentalisht për të vazhduar më tej. "Katunari gangsta” titullohet klipi, kush ironizohet në fabulën e këngës? Unë kurrë nuk e kam mohuar dhe as nuk e mohoj origjinën time nga fshati, dhe as nuk e kam për turp ta them që unë aty luaj veten. (qesh). Kështu që dhe teksti i këngës është në vetën e parë, domethënë "shita dhi e i shita të tona…Veç me pa qa o tirona…” Të mos ofendohet askush për këtë gjë, vetëm shikojeni dhe shijojeni, se vërtet kam shpenzuar mund dhe e kam realizuar me shumë qejf diçka të tillë.